Gjatë vitit shkollor 2021-2022, nxënësit nga klasa e katërt në të gjashtën janë pajisur me iPad.
( Vitin e kaluar ishin vetëm nxënësit e klasave të pesta me këto tableta).Qëllimi i përdorimit të tyre nga nxënësit dhe mësuesit ka të bëjë me përshtatjen sipas zhvillimeve të teknologjisë dhe vendosjen e kësaj të fundit në funksion të mësimdhënies dhe mësimnxënies sa më efikase sipas kërkesave dhe pritshmërive të metodave të arsimit të shekullit XXI. Nëpërmjet iPad-it nxënësit e kanë më të lehtë gjetjen e informacioneve shkencore, efikasitetin e realizimit të detyrave, projekteve dhe informacionit shtesë në përputhje me temat mësimore. Tableti gjen përdorim në lëndë të ndryshme dhe mësuesit janë trajnuar paraprakisht përpara se të fillonte shkolla me nxënësit, në përdorimin e tij në funksion të procesit mësimor- edukativ.
iPad bën të mundur shmangien nga metoda tradicionale e mësimit dhe i jep më tepër kuptim mësimdhënies me në qendër nxënësin. Realizimi i shpjegimeve të alternuara e bën më tërheqëse orën e mësimit, e bën nxënësin më kreativ, sepse i lihet hapësira e “të kërkuarit”,”të eksploruarit” dhe ai ndihet shumë më i kënaqur kur e gjen vetë rezultatin, sesa kur i ofrohet i gatshëm. Tjetër kënaqësi marrin dhe nga prezantimi i detyrave apo projekteve të tyre para njëri-tjetrit në kohë reale, pa qenë e nevojshme të ngrihen në smart board, sepse tableti është i lidhur me të dhe nga komoditeti i tavolinës realizohet shfaqja e punës për të gjithë. Në iPad realizohen edhe quize të formave të ndryshme, me përgjigje alternative, zgjedhje të shumëfishta apo dhe me përgjigje të hapura, të cilat korrigjohen në moment duke e njohur nxënësin me rezultatin e tij dhe ky rezultat ruhet dhe ai ka mundësi ta shohë në ҫdo moment që dëshiron. Ky tablet lehtëson disi peshën e ҫantave që rëndojnë supet e fëmijëve dhe shmang dosjet e shumta me fletë, duke qenë se brenda tij ruajnë dosjet elektronike. iPad-ët monitorohen nga specialistët e IT-së së shkollës dhe ҫdo material që nxënësit përdorin është aksesim i lejueshëm nga mësuesit e tyre.