Shkathtësitë, sfidat dhe pritshmëritë e mësimdhënies dhe mësimnxënies së shekullit XXI e vënë mësuesin përpara përgjegjësive të reja dhe përshtatshmërisë me metodat bashkëkohore dhe në veҫanti me përdorimin e teknologjisë. Është në praktikën e punës së kolegjeve tona realizimi i trajnimeve të përvitshme para ҫdo fillimi viti akademik dhe rregullisht në periudha të caktuara të tij. Këto trajnime funksionojnë në grupime brenda katedrave, të drejtuara nga shefat e secilit departament, sipas kalendarit dhe orareve të përcaktuara nga Drejtoria e Përgjithshme si dhe në grupe më të mëdha ku trajnues janë dhe institucione të tjera që janë të lidhura me institucionin tonë. Këto trajnime vlejnë për secilin mësues duke qenë se procesi mësimor është një proces krijues që ndryshon vazhdimisht dhe duhet të jemi të informuar dhe zbatues të të rejave të fundit që shfaqen si domosdoshmëri në këtë proces. E pa dyshim që janë në vlefshmëri më të madhe për mësuesit që sapo e kanë nisur rrugëtimin e mësimdhënies (Trajnimet e tyre janë më të shpeshta). Mësuesi duke qenë organizator, menaxhues, transmetues dijesh, bashkërendues kompetencash në të njëjtën kohë përballet me zhvillime të reja të cilat duan metodologji dhe strategji të posaҫme për të qenë sa më efektive ora e mësimit në të gjitha strukturat e saj. Ndaj në organizimet e trajnimeve në katedra shkëmbehen përvoja, ndahen mendime, sillen risi dhe planifikohet puna në vazhdim për segmente të ndryshme që lidhen me procesin mësimor – edukativ. Seminari më i fundit trajnues u mbajt nga pedagogë të universitetit “Epoka”, me temë “Digital Literacy”. Ligjëruesit sollën në focus realitetin e sotëm teknologjik dhe sesa janë të lidhur nxënësit e ҫdo moshe me të.Tashmë s’është luks, por domosdoshmëri e realitet përdorimi i saj gjatë procesit mësimor. Teknologjia shihet si lehtësim për të dyja palët, mësuesit dhe nxënësit dhe pa diskutim që pandemia na bëri më kërkues dhe shfrytëzues së saj në funksion të mësimdhënies dhe mësimnxënies. Platformat e ndryshme vazhdojnë të përdoren për informacione, detyra, projekte apo realizime quize-sh të ndryshme që realizohen në kohë të shpejtë dhe janë më tërheqëse e argëtuese për nxënësit. Nëpërmjet teknologjisë bashkërendohet më lehtë puna në grup dhe në shumë raste përdorimi i saj e bën nxënësin të jetë vetë lideri i mësimnxënies.