Muaji tetor gëloi nga aktivitetet e shumta letraro-artistike, të zhvilluara tek të gjitha ciklet e shkollës sonë. Nxënësit punuan projekte nga më të larmishmet,të cilat i dhanë jetë e gjallëri ҫdo ambienti të shkollës sonë. Ato përmbanin saktësi informacioni, ilustrime figurative, imagjinatë tepër të pasur dhe ishin në funksion të literaturës apo simbolikës së zgjedhur. Klasat e ndryshme ofruan aktivitete të veҫanta që do të mbahen mend gjatë në memorien e secilit.
Te nxënësit e ciklit fillor veҫojmë leximin e përrallave, interpretimin e poezisë ”Keci që s’bëri detyrat” dhe ku fëmijët ndienin kënaqësi duke e shoqëruar interpretimin me notat e humorit që përcillnin vargjet. Më tej u prezantuan fabula,tregime, vjersha apo informacione që ju kanë pëlqyer më shumë në librat e tyre të vegjël. Ata provuan të bëheshin “redaktorë” të vegjël të një krijimi letrar,nisur nga thënia ”Nuk janë numri i faqeve që e bëjnë më të mirë apo më të keq një libër, por vlerat e tij artistike”. Edhe mjediset e bibliotekës së shkollës u populluan si asnjëherë tjetër nga lexuesit e vegjël. Gjatë ditëve të këtij muaji, po me nxënësit e këtij cikli u zhvillua aktiviteti “Talent show”me shfaqjen e talenteve të nxënësve në fusha të ndryshme. Mësueset e palodhura ua krijuan nxënësve mundësinë e shfaqjes së prirjeve në: aktrim, pikturë, imitim, kërcim, këngë e krijimtari.Të vegjlit patën mundësi ta preknin nga afër skenën e të provonin emocionet që të fal ajo.
Nxënësit e 9-vjeҫares na ofruan një sërë aktivitetesh. Nisma “Dhuroni një libër,dhuroni një buzëqeshje”. Nxënësit dhuruan disa libra në bibliotekën e qytetit të Shijakut.Këtë nismë e ndërmorën që të rritet gjithmonë e më tepër kultura e leximit,ruajtjes dhe pasurimit të bibliotekave me emra të rinj. Po këta nxënës ftuan shkrimtarin e mirënjohur Asllan Kasa në kolegjin “Turgut Ozal” dhe biseduan rreth librit dhe rëndësisë së tij. Kolegjin e nderoi me pjesëmarrjen e tij dhe Kryetari i Bashkisë së Shijakut zotin Elton Arbana dhe përfaqësues të tjerë të kësaj bashkie dhe të bibliotekës së Shijakut. “Libri dhe biblioteka”,ishte një tjetër takim, ku e ftuar ishte pasuruesja dhe klasifikatorja e Bibliotekës Publike znj.Alketa Psatha, e cila ndër të tjera i njohu nxënësit me sistemin e përbashkët të të dhënave Cobiss, i cili prej vitit 2015 është në përdorim pranë këtij institucioni. Madhështia e gjuhës shqipe, ëmbëlsia dhe forca e saj u prezantua nëpërmjet projektit “Gjuha është shpirti i një kombi”. Në klasa të veҫanta apo dhe në rang paraleli u zhvilluan biseda të shumta letrare për vepra dhe autorë të ndryshëm apo dhe dramatizime e prezantime të hollësishme të personazheve, siҫ u realizua p.sh “Prilli i thyer ” i Kadaresë.
Nxënësit e shkollës së mesme paraqitën larmishmëri në aktivitetet e realizuara.Veҫojmë “Panairin me ushqime tradicionale shqiptare”,me gatime nga më të shijshmet që përfshinin gjeografikisht thuajse ҫdo cep të Shqipërisë. Kjo falë dëshirës , impenjimit të nxënësve dhe sidomos falë ndihmës së pakursyer të nënave duararta që realizuan ato ҫfarë dëshironin fëmijët e tyre. Nxënëset që prezantuan gatimet në këtë panair ishin me veshje popullore të trevave të ndryshme të vendit tonë. Një tjetër aktivitet,loja”Mos u nxeh!” bëri bashkë persona historikë e personazhe letrare në një garim të miksuar dijesh dhe fati. S’pati dallime ndërmjet garuesve dhe spektatorëve, sepse kënaqësia e marrë nga loja pothuajse i shkriu kufijtë mes tyre. Të qeshura pa fund e një argëtim të munguar sollën vëniet në skenë të komedive”Të gjithë me huqe” dhe “Zonja nga qyteti”. Nxënësit shpalosën talentin e tyre si të ishin aktorë të vërtetë.