Maturantja e shkollës “Turgut Ozal” Durrës, Dea Myshketa është pranuar në një ndër  universitetet më  prestigjioze të botës, në MIT (Massachusetts Insitute of Technology) në Amerikë, më bursë të plotë,në degën Matematikë e Aplikuar dhe Shkenca Kompjuterike (Applied Mathematics and Computer Science).  Është një rrugëtim i admirueshëm i kësaj nxënëseje përgjatë gjithë viteve shkollore për të mbërritur deri këtu. Falë talentit, vullnetit dhe këmbënguljes për t’u shkuar gjërave deri në fund , përpjekjet e saj u kurorëzuan me një sukses të tillë.Ka spikatur me dijet e saj veҫanërisht në lëndën e matematikës, lëndë të cilën e adhuron dhe i është përkushtuar në maksimumin e mundshëm.Vullneti i saj është përkrahur nga familja dhe nga shkolla, e cila i ka mundësuar Deas sikurse dhe nxënësve të tjerë orë ekstra në lëndën e matematikës.Rezultatet e shkëlqyera në shkollë, në olimpiada kombëtare e ndërkombëtare e kanë shoqëruar ҫdo vit duke rrëmbyer ҫmime e certifikata pa fund.Ka marrë pjesë nw Olimpiadën Ballkanike të Matematikës,në Olimpiadën Europiane të Vajzave etj.Ndër ҫmimet e fundit veҫojmë:Medaljen e Nderit në IMO 2020 (Olimpiada Botërore e Matematikës) dhe Medaljen e Bronzit në Olimpiadën Mesdhetare të të rinjve në Matematikë.

Suksesit të saj i bashkangjiten dhe rezultatet e shkëlqyera të provimit të SAT-it,(SAT-i është kusht për të aplikuar në universitetet në Amerikë),apo dhe sukseset te konkursi ASEF, sidomos ai i vitit 2020, ku mori Ҫmim të Parë dhe u ftua pë të marrë pjesë në GENIUS OLYMPIAD, një panair shkencor me projekte nga të gjithë nxënësit e botës në New York.

Këto që thamë më sipër i takojnë aspektit akademik, por Dea shkëlqen dhe ka dhënë kontributin e saj edhe në të tjera drejtime.Është përfshirë në punë vullnetare në shoqata të ndryshme rinore si :Udhëtim i lire,Save dhe Children dhe Kryqi i Kuq.Është angazhuar në klubet e Ambasadës Amerikane si : Education USA,Outdoor Ambassadors etj,sikur ta kishte paramenduar që pikërisht Amerika do të bëhej “shtëpia “e studimeve të saj të larta,gjë që e dëshirojnë më mijëra nxënës nga e gjithë bota, por që të paktë janë ata që fitojnë.Dea,inteligjente dhe shumë kreative i kaloi me sukses  të gjitha fazat që i është dashur për t’u pranuar në MIT, duke filluar me shkrimin e esesë, realizimin e rubrikave sikur i do ajo, apo dhe me kalimin e fazave të intervistave gojore.Ajo me shembullin e saj na mëson të gjithëvë se:dikush që i ka qëllimet e qarta,që i përkushtohet me mish e me shpirt synimit që i ka vënë vetes, që derdh mund e nuk kursehet në lodhje e përkushtim, mundet që ëndrrën amerikane ta bëjë realitet.Jo vetëm shpresojmë, por e kemi bindje të plotë se ekselentja Dea Myshketa me të njëjtin shkëlqim si në kolegj, në mos më tepër do të vazhdojë dhe në MIT.Suksese krenaria jonë dhe e gjithë shqiptarëve!