Në datën 7 prill 2021 në qytetin e Kavajës u organizua “Panairi Shkencor 2021” nga shkolla “Turgut Ozal”. Në të morën pjesë nxënës të klasave të ndryshme, duke filluar nga nxënësit e 9-vjeçares deri tek ata të gjimnazit.Në këtë panair u prezantuan rreth 50 projekte që ishin të përgatitura nga vetë nxënësit dhe përfshinin një sërë temash dhe fushash si: matematika, kimia, biologjia, fizika,robotika dhe shumë të tjera. Disa prej projekteve shërbyen edhe si fushata sensibilizuese siç ishin ato për mjedisin dhe mbrojtjen e tij apo dhe për mbrojtjen e shëndetit të njeriut. Disa nxënës kishin zgjedhur të demonstronin disa eksperimente me të vërtetë shumë mbresëlenëse. “Panairi Shkencor 2021” në qytetin e Kavajës u mbajt nga ora 9:00 deri në orën 17:00 në Pallatin e Kulturës të këtij qyteti. Çdo nxënës ishte vendosur përpara një stende dhe një tavoline ku mirëpriste çdo vizitor me shumë kënaqësi. Panairi tërhoqi vizitorë të grupmoshave të ndryshme të cilët me shumë kuriozitet dëgjuan nxënësit dhe madje morën pjesë në një sërë lojërash matematikore të përgatitura nga nxënësit e shkollës sonë. Pjesëmarrje pati gjithashtu edhe nga shumë nxënës të shkollave të qytetit të Kavajës.
I njëjti panair u zhvendos në Durrës, pranë pallatit të sportit “Ramazan Njala” në datën 15 prill 2021, nga ora 10:00 – 1600 . Panairi u zhvillua në oborrin e kësaj ndërtese ku nxënësit vendosën stendat së bashku me projektet përkatëse. Vizitorët ishin të shumtë duke nisur që nga fëmijë parashkollorë dhe nxënës, të cilët pa dyshim u përfshinë në të mësuarit,të kuptuarit dhe të zbatuarit e metodave shkencore të prezantimit të këtyre projekteve.Nuk mungoi dhe argëtimi pafund me kategoritë e shumëllojshme të lojërave. Të shumtë ishin edhe vizitorët të cilët bënin pyetje dhe shkëmbenin biseda rreth projekteve të ekspozuara. Disa prej projekteve u cilësuan madje prej shumë vizitorëve si projekte me të vërtetë inovative, të cilat mund të përdoreshin nga biznese në fusha të ndryshme të jetës së përditshme. Të dyja panairet e organizuara ishin pa dyshim një mënyrë mjaft e mirë për nxënësit tanë për të treguar punimet e tyre, për të shkëmbyer eksperienca dhe pse jo për të mësuar gjëra të reja.
Kamila Selmanaj