“E premtja e leximit” është një aktivitet sensibilizues, i cili përfshin ҫdo shkollë, sipas orareve të përshtatshme, ku nxënës të klasave të ndryshme  lexojnë poezi,prozë,ese ose lloje të tjera krijimtarish përpara nxënësve të tjerë të shkollës.Zgjedhja e krijimtarisë është e lirshme nga ana e nxënësve: mund të jetë krijim i tyre apo i autorëve të njohur nga letërsia shqiptare dhe ajo botërore.Nxënësit tanë i janë përgjigjur me dëshirë kësaj nisme, duke e lidhur dhe me faktin se rubrika e leximit të literaturës shtesë ekziston prej vitesh në shkollën tonë. ( Është orar i përcaktuar i leximit para fillimit të mësimit).

Kjo nismë ndikon në forcimin dhe zhvillimin e kulturës së leximit te nxënësit, njohjen e metejshme të shkrimtarëve dhe poetëve si dhe  dhe në të njëjtën kohë nxit dëshirën për të shkruar vetë më shumë në krijime sa më të përshtatshme për to.Ky lloj leximi bëhet i organizuar, duke iu përshtatur situatës në të cilën ndodhemi, ndaj dhe leximet bëhen në grupime të vogla në ambient klase ose te biblioteka e shkollës.Nxënësit e shkollës së mesme për sa kohë vijojnë mësimin online, leximet e tyre i kanë realizuar me anë të videove.Edhe leximet, interpretimet që janë bërë në shkollë, ҫdo herë janë shoqëruar me foto dhe regjistrime me video.Leximet më të mira përzgjidhen dhe mblidhen nëpërmjet ZAV Durrës dhe publikohen në mënyrë të përjavshme në faqet zyrtarë të shkollës, ZAV Durrës apo dhe në faqen e MASR.

Lumturie Gjura