2021 filloi hareshëm në shkollën “Turgut Ozal” Durrës, te nxënësit e ciklit të fillores. Gjatë ditëve të muajit janar u zhvillua aktiviteti “Talent show”me shfaqjen e talenteve të nxënësve në fusha të ndryshme. Sipas informacionit që ndau me mua  mësuesja, Mrika Dodaj,ideja e organizimit të këtij aktiviteti kishte lindur nga zhvillimi i orëve mësimore të integruara, ku nxënësit herë pas here shfaqnin interes, ide, talent…, përtej asaj që kërkon procesi mësimor.Ndaj mësueset e përkushtuara të këtij cikli ua krijuan nxënësve mundësinë e shfaqjes së këtyre prirjeve në: aktrim, pikturë, imitim, kërcim, këngë e krijimtari.Në këtë aktivitet u përfshinë edhe nxënësit e klasave VI,jo vetëm për të shpalosur artin e tyre, por edhe për të shërbyer si model për nxënësit e klasave pasardhëse duke qenë se janë më të rritur.Përballja me një skenë të vërtetë, marrja e mikrofonit në dorë, interpretimi para jurisë e shtonte emocionin e artistëve të vegjël dhe “ankthin” e performancës apo dhe të pritjes së vlerësimit. Natyrisht që dhe argëtimi nuk mbetej pas. Të shijonte ҫdo paraqitje e tyre. ҫdo gjë që shfaqej në skenë ishte e kuruar në  detaje.Kërcimet me veshjen, imitimet në përshtatshmëri të plotë me personazhin e zgjedhur etj.

Nxënësit e klasave II , krijimet e tyre i kishin përmbledhur në revista klase. E kishin bërë shumë bukur rolin e “gazetarit dhe krijuesit të vogël”.Ndër të tjera aty kishin prezantuar veten, hobet e tyre, si parapëlqenin ta kalonin kohën e lirë etj.Mësueset e klasave të  para kishin bërë një zgjedhje interesante për t’i stimuluar nxënësit e tyre në “Leximin e mëngjesit”.I vinin ata të lexonin zinxhir dhe synimi ishte që të mos keputej “asnjë hallkë”zinxhiri.Fëmija që grumbullonte pesë yje në javë, ditën e premte shpërblehej me një libër dhuratë nga biblioteka e klasës.Kjo ishte një nxitje për të grumbulluar sa më shumë yje dhe kështu ndihmohej edhe  procesi i të nxënit nëpërmjet leximit.

Drejtoria e shkollës gjithmonë i ka mbështetur e vazhdon t’i mbështesë talentet, prirjet e nxënësve në ҫdo fushë duke i nxitur e duke u dhënë hapësirën e duhur atyre, duke i vlerësuar me ҫmime e certifikata dhe në të njëjtën kohë ka bërë që dhe mësuesit të ndihen të suksesshëm nga këto veprimtari.