Një kujdes i veҫantë në shkollën tonë i kushtohet përgatitjes së nxënësve të klasave IX për Provimet e Lirimit dhe nxënësve të klasave XII për Provimet e Maturës Shtetërore.Vazhdohet të punohet intensivisht me ta në lëndët e gjuhës shqipe dhe të matematikës që nga fillimi i vitit shkollor, nëpërmjet orëve ekstra, të cilat do vijojnë të shtohen ende në periudhën prill- maj, atëherë kur kulmon dhe përgatitja finale në mënyrë që nxënësit tanë të ndihen sa më të sigurt kur t’u nënshtrohen këtyre provimeve.Edhe në lëndën e anglishtes punohet në të dyja ciklet, por me grupe më të vogla nxënësish, jo në nivel klase, për arsye se nxënësit tanë ndihen mjaftueshëm të formuar në përgatitjen e tyre, duke qenë se mësimi i anglishtes në shkollën tonë fillon që në kopsht dhe lëndët shkencore i bëjnë në po këtë gjuhë, ҫfarë favorizon në ngulitjen më të mirë të saj.
Nga ana tjetër përgatitja e nxënësve monitorohet në periudha të ndryshme gjatë vitit shkollor nëpërmjet testimeve që organizohen nga Drejtoria e Përgjithshme e Kolegjeve në të gjitha lëndët që janë provime të detyruara, pra në: Gjuhë shqipe AMU ( Gjuhë shqipe dhe letërsi AML ), Matematikë dhe Anglisht. Testimet hartohen nga grupe mësuesish me përvojë të kolegjeve duke u bazuar në njohuritë që përsëriten sipas programit orientues të provimeve. Deri tani janë organizuar nga dy testime – provë në secilën lëndë. Testimi i parë në nëntor dhe i dyti në janar.Testimi i tretë është planifikuar të bëhet në prill.Rezultatet e nxënësve shqyrtohen me kujdes nga mësuesit e lëndës , të cilët përcaktojnë përparësitë, arritjet e nxënësve, sikurse dhe evidentojnë vështirësitë në lloje pyetjesh apo konceptesh që ata kanë, në mënyrë që t’u rikthehen për t;i ngulitur te nxënësit në mënyrën e duhur.Në bazë të rezultateve ndërtohet edhe plani i punës për në vazhdim dhe përcaktohen pritshmëritë e radhës nga nxënësit dhe mësuesit.