Nxënësit e shkollës fillore dhe 9-vjecare zhvilluan një eskursion në Kroaci të shoqëruar edhe nga mësueset e tyre kujdestare. Të gjithë nxënësit po e prisnin me gëzim këtë udhëtim.
Ndalesa e parë ishte në Shkodrën e bukur, që nuk njihet vetëm si qyteti i traditës dhe kulturës, por edhe për bukurinë që ka. Pas kalimit të doganës së Muriqanit, udhëtuan drejt Malit të Zi. Ky shtet edhe pse i vogël ofron një sërë atraksionesh turistike, bregdetin dhe plazhet e bukura, që nën rrezatimin e diellit në këtë fund tetori dukeshin edhe më të bukur.
Vizita në qytetin e vjetër të Dubrovnikut la mbresa të veçanta tek nxënësit dhe kujtimet më të bukura u fiksuan në aparatet e tyre fotografike për t’u mbajtur mend gjatë. “Perla e Adriatikut” nuk njihet vetëm falë detit të kaltër, por edhe prej trashëgimisë historike e kulturore. Koha e bukur me diell bëri që nxënësit ta shijonin peizazhin që ky qytet ofronte. Ditët pasuan njëra-tjetrën pa kuptuar, të mbushura plot me aktivitete dhe argëtim.
Destinacioni i radhës në kthim, ishte qyteti i Budvës, një qytet magjepsës dhe bukuri përrallore. Nxënësit shëtitën buzë detit e më pas në qytetin e vjetër të rrethuar me mure të larta, ku u njohën edhe me historinë e këtij qyteti.
Përveç kënaqësisë që nxënësit përjetuan, ky ekskursion pati vlera në lidhje me edukimin, integrimin dhe formimin e një përsonaliteti të pavarur tek nxënësit.
Përgatiti:Alma Llabani