Në kuadër të Ditës Europiane të Gjuhëve të Huaja, në kolegjin “Turgut Ozal” Durrës, u zhvilluan aktivitete të ndryshme ku protagonistë të saj ishin vetë nxënësit e ciklit të mesëm dhe atij 9-vjeçar. Nxënësit prezantuan në gjuhë të ndryshme figura të shquara që i përkisnin botës së politikës, artit, muzikës dhe sportit. Gjithashtu nxënësit performuan suksesshëm edhe në zhanrin e dramës dhe monologut.


Gjuha e folur prej tyre si anglisht, frëngjisht, gjermanisht, italisht, turqisht dhe në atë boshnjake e ndërthurur me interpretimin e shkëlqyer të nxënësve, të krijonte idenë e një udhëtimi imagjinar nëpër botë tek Gjermania e Bismarkut, Franca e Molierit, Italia me Koloseun e famshëm e deri tek Turqia me personalitetin e shquar të saj Turgut Ozal, emrin e të cilit jo rastësisht mban edhe kolegji ynë. Nuk mund të lihej në harresë edhe prezantimi i mjaft vëndeve që shquhen për kulturën e lashtë dhe qytetërimin e tyre.


Përveç interpretimit tepër dinjitoz të nxënësve tanë, ra në sy dhe aftësia dhe dëshira e madhe që ata kanë për të mësuar dhe zotëruar gjuhë të huaja, një pjesë shumë e rëndësishme kjo dhe një portë e hapur njëherazi në komunikimin e tyre me botën perëndimore.