Në shkollën tonë një kujdes i veçantë tregohet për përgatitjen e nxënësve për olimpiadat kombëtare. Aktualisht ka nisur puna në përgatitjen e lëndëve shkencore, duke qenë se dhe fazat e para të tyre fillojnë me këto lëndë. Drejtoria e shkollës këtë vit, sikurse dhe vitet e kaluara, ka organizuar Kampet e Olimpiadave, si një domosdoshmëri në përgatitjen dhe arritjen e rezultateve të dëshiruara. Momentalisht vazhdojnë përgatitjet në këto lëndë: matematikë, kimi, biologji, fizikë dhe kompjuter. Risi e këtij viti në këto përgatitje është edhe pjesëmarrja e nxënësve të klasës së nëntë te përgatitja e olimpiadës së fizikës. (Nxënësit e kësaj klase nuk garojnë për olimpiadë kombëtare). Ata mësojnë gradualisht për t’iu përgjigjur si duhet konkurrimit të klasës së dhjetë. (Theksojmë se nxënësit tanë u ndanë shumë mirë te olimpiada e fizikës këtë vit). Nxënësit tanë kanë treguar interes për këto orë përgatitore ҫka e tregojnë me pjesëmarrjen masive, punën sistematike që bëjnë duke iu përgjigjur kërkesave të mësuesve të tyre. Oraret e ndjekjes së këtyre kampeve janë ditëve të  premte, pas programit mësimor si dhe ditëve të shtuna. Sipas udhëzimit dhe sipas përcaktimit të datave dhe fazave nga Ministria e Arsimit dhe Sportit, ashtu do të procedohet dhe me realizimin e kampeve përgatitore për olimpiadat dhe në lëndët shoqërore. Oraret e secilës lëndë zbatohen me korrektësi sipas kalendarit të miratuar nga drejtoria e shkollës.