1 Shtatori 2021,mirëpriti vogëlushët e kopshtit “Turgut Ozal” Durrës, të cilët iu rikthyen ambienteve të tyre të dashura.Me veshjet dhe buzëqeshjet e ëmbla shkëlqenin më shumë se rrezet e diellit dhe dukeshin tepër të emocionur teksa vraponin me duart e mbushura me buqeta lulesh drejt edukatoreve që i pritnin krahëhapur e plot kujdes si gjithmonë. Të vegjlit që kanë qenë dhe më parë në kopsht thuajse fluturonin drejt klasave të tyre sipas ndarjes në grupe të vogla me emrat e këndshëm si:”Artistët”,”Yjet”,”Dallëndyshet”,”Lulet e jetës”,”Mollëkuqet” apo “Bota magjike”.Pak më të ndrojtur dukeshin të sapoardhurit për herë të parë në kopsht, një pjesë e të cilëve ishin në mëdyshje që të shkëputeshin nga krahët e prindërve apo jo, për t’u drejtuar drejt disa krahëve të tjerë, që pa dyshim në ditët në vazhdim do ta kuptojnë që pas prindërve të tyre, do të jenë krahët më të dashur.

Vogëlushët janë magjia vetë! Dhe bota magjike do t’u shpaloset me argëtime e lojëra pa fund, nëpërmjet të cilave ata do të shuajnë kuriozitetin për pyetjet nga më të çuditshmet që u vijnë në mendjet e tyre me një lloj fantazie që vetëm ata e zotërojnë.Dalëngadalë do të mësojnë njohuri e sjellje që do t’u vlejnë në vitet në vazhdim.Përveç këtyre që thamë, këtë vit do të tregohet kujdes më i madh në lëndën e anglishtes ( anglishtja fillon që në kopsht në kolegjin tonë), të kompjuterit dhe do të ketë më shumë ore kinemaje.Nuk do të mungojnë edhe ekskursionet apo festimet e ditëlindjeve nga grupet e para deri te parashkollorët, të cilat me atmosferën që krijojnë i ngjajnë realitetit të përrallave.Suksese vogëlushë! Ju shkoftë sa më mbarë në rrugëtimin e saponisur!