OKB –ja 11 tetorin e ka përcaktuar si Ditën Ndërkombëtare të Vajzave.Kjo ditë synon të promovojë trajtimin e barabartë të vajzave në mbarë botën në fusha të tilla si: ligji, kujdesi shëndetësor, arsimimi etj.Nxënësit e shkollës sonë e sollën në vëmendjen e të gjithëve këtë ditë nëpërmjet projekteve të shumta për të sensibilizuar shoqërinë që të jëtë më e kujdesshme në këndvështrimin e vajzave dhe për t’u mundësuar atyre realizimin e ëndrrave.Është ҫështje globale mënyra se si trajtohen vajzat edhe sot e kësaj dite, ndonëse siҫ shprehet nxënësja Ema Kola e sotmja është një botë e mbushur me dyer të hapura oportunitetesh e që të pret krahëhapur që në momentin që si foshnjë hap sytë për herë të parë e pajisesh me fletën e bardhë të jetës. Të
veshin një bluzë rozë në sallën e maternitetit dhe diçka ndryshon. Disa nga ato dyer mbyllen papritur e të shkruarit në fletë bëhet më e vështirë. Merr frymë dhe je një hap prapa. Shoqëria të
sheh nëpërmjet lentes së patriarkalizmit e të zhvesh nga çdo lloj karakteristike që të individualizon. Je një grua për shtëpi. Jetojmë në shekullin XXI, e ndërkohë që vërtet gjurmët e një mentaliteti të tillë veniten dita -ditës, problemi është ende i pranishëm dhe kjo nuk është koha për t’u dorëzuar. -Breza grash para nesh, -shprehet Ema,- kanë hedhur themelet e rrugës drejt barazisë, e s’na mbetet gjë tjetër veçse të mbyllim stafetën. Të krijojmë një hapësirë ku zëri i vajzave jo vetëm të dëgjohet, por të vërë në punë ingranazhet e ndryshimit.Të mos ketë më vajza që ndihen të burgosura në një trup që aq padrejtësisht u kufizon liritë. Le ta kthejmë rozën në asgjë më tepërse një ngjyrë. Një ngjyrë që mund ta veshim me krenari.