Drejtoria e shkollës “Turgut Ozal” tregon kujdes të veҫantë për ecurinë mësimore të nxënësve të ҫdo niveli.Mbështetur në rezultatet e vitit mësimor të mëparshëm dhe në ecurinë e deritanishme te tyre, përcaktohen që tani orët ekstra në ndihmë të arritjes së rezultateve të dëshiruara nga nxënësit dhe mësuesit.

   Një pjesë e konsiderueshme e këtyre orëve janë posaҫërisht për nxënësit pjesëmarrës në olimpiada të ndryshme të lëndëve shkencore ose shoqërore (aty ku nxënësit kanë prirjet dhe dëshirën për të punuar).Këto orë kanë shtrirje gjatë gjithë periudhës mësimore dhe më gjerë ( p.sh: kampingjet verore për lëndën e matematikës).Përzgjedhja e tyre është bërë që tani sipas strukturave dhe organizimeve nga  Departamentet dhe Drejtoria e Përgjithshme e Kolegjeve.Nga datat: 14 -19 tetor u organizuan provimet përzgjedhëse për nxënësit që dëshirojnë të ndjekin olimpiadat në këto lëndë: biologji,kimi, matematikë dhe fizikë.Për lëndët e tjera do të respektohen afatet kohore të përcaktuara nga Ministria e Arsimit,Sportit dhe Rinisë,sipas fazave dhe në bazë të tyre do të vijojnë dhe orët përgatitore në shkollën tonë.

Përgatiti:Lumturi Gjura