Sipas dispozitave normative për arsimin parauniversitar në shkollën tonë çdo fillim viti formohet qeveria e nxënësve.

Kjo qeveri përbëhet nga një përfaqësues(senator) për çdo klasë. Në krye të kësaj qeveria qëndron presidenti i qeverisë së nxënësve, i cili është zgjedhur nga vetë nxënësit me votë të lirë.

Këta nxënës mblidhen rregullisht një herë në tre javë bashkë me një përfaqësues të drejtorisë së shkollës dhe diskutojnë për ide, sugjerime dhe problematika, që mund të kenë bashkëmoshatarët e tyre në shkollë.

Mirëfunksionimi i kësaj qeverie të nxënësve na mundëson të konstatojmë në kohë vështirësi të ndryshme që nxënësit kanë, por edhe jep mundësinë që ata të shpalosin idetë e tyre për një edukim më të mirë.

Mos i kufizoni sfidat, sfidoni kufijtë!

Dëshiroj ta nis këtë mesazh të shkurtër duke falenderuar të gjithë ata që më mbështetën dhe besuan tek aftësitë e mia. Shpresoj t’ia kem dalë mbanë dhe t’i kem përmbushur sadopak pritshmëritë e tyre. Meqë fundi i këtij viti shkollor po afron, ashtu si rrugëtimi im i gjatë 12-vjeçar, e ndjej si detyrë morale t’u jap një mesazh motivues senatorëve të rinj që do të përzgjidhen pas meje dhe gjithashtu të gjithë nxënësve të shkollës Turgut Özal. Pavarësisht sfidave individuale që do të hasni, ashtu si kam hasur edhe unë, pavarësisht vështirësive dhe ulje-ngritjeve shpirtërore, kurrë mos u dorëzoni të ndiqni ëndrrat tuaja që i dëshironi vërtetë. Po e mbyll me një shprehje, qe e konsideroj si moton time: “Mos i kufizoni sfidat, sfidoni kufijtë!”


~Joan Metaliu