After school është një program pasmësimor për nxënësit e Ciklit Fillor ( nga klasa I deri në klasën V). Gjithkush nga fëmijët e këtij cikli që dëshiron të kryejë realizimin e detyrave, perfeksionimin e të nxënit nën mbikqyrjen e mësueseve, kryesisht të atyre kujdestare, qëndron në shkollë nga ora 14 -16, ҫdo ditë nga e hëna deri të premten. (Pjesëmarrja në këtë program bëhet me dëshirën e fëmijëve dhe natyrisht me miratimin e prindërve). Qëllimi i “After school” sikurse shprehen mësueset që janë pjesë e këtij programi, është lehtësimi i detyrave të nxënësve, qartësimi i tyre dhe orientimi i duhur për mënyrën e të mësuarit. Grupet janë të vogla 4-10 nxënës dhe mësuesit munden të punojnë në mënyrë individuale me nxënësit duke pikasur më lehtë ku duhen bërë ndërhyrjet e nevojshme. Edhe prindërit nga ana e tyre ndihen më të kënaqur dhe më të lehtësuar nga mbarimi i detyrave në shkollë, sepse fëmijëve të tyre u mbetet në shtëpi ajo koha aq e dëshiruar nga ata për të luajtur e për t’u argëtuar në mënyrat e tyre.