Para fillimit të çdo viti shkollor, kolegji “Turgut Ozal”, organizon javën e orientimit për nxënësit e klasave të nënta dhe të dhjeta që vijnë për herë të parë në kolegj. Qëllimi i këtij programi është orientimi me ambientet e shkollës, njohja me mësuesit, shoqërinë e klasës etj. Është një prezantim i përgjithshëm, i cili siç ka rezultuar dhe nga vitet e kaluara, është i duhur dhe i nevojshëm për një ecuri të kënaqshme të nxënësve të rinj. Një tjetër qëllim i programit të orientimit ka të bëjë me përcaktimin e nivelit të njohjes së gjuhës së huaj(anglishtes) nga nxënësit dhe kjo përcakton grupimin e tyre në klasa dhe orienton mësuesit në planifikimin e punës ekstra me nxënësit tek të cilët pikasen vështirësi. Nxënësit gjithashtu njihen dhe me ambientet e konviktit, i cili nën kujdesin e drejtorisë dhe strukturave përkatëse do të përpiqet të krijojë atmosferën e një “familjeje të dytë” në mënyrë që pjesëtarët më të rinj të konviktit të mos e ndiejnë shumë diferencën e largimit nga shtëpia.Është kënaqësi për ne që presim nxënës të rinj, por në të njëjtën kohë përgjegjësi dhe detyrim që t’u mundësojmë atyre dhe vetes pritshmëritë e dëshiruara. Shkolla jonë është mbështetëse e kreativitetit të nxënësve, jo vetëm sa i takon procesit mësimor,por edhe në aktivitete të tjera përtej saj. Njohja e nxënësve me shkollën dhe e mësuesve me nxënësit, krijon hapësirat e duhura për një përshtatje paraprake para fillimit të vitit shkollor dhe i bën këta të fundit të ndihen më mirë në startimin e vitit shkollor.Një program orientues i shtrirë në një  periudhë më të gjatë kohore, u është kushtuar nxënësve të klasave të para, për të cilët është treguar një kujdes tepër i veçantë ,në mënyrë që të kalojnë natyrshëm nga  pjesa e kopshtit në atë shkollore. Krahas orëve mësimore, zhvillohen lojëra zbavitëse dhe aktivitete argëtuese në përshtatje me moshën e tyre.Një shprehje thotë : “Nuk ka gjë më me vlerë se dija”. Dhe kolegji ynë do të bëjë maksimumin për ngulitjen e saj te nxënësit.Suksese të gjithëve!