Në ambjentet e shkollës sonë, nga data 10 deri më 16 Tetor 2019, u zhvilluan në ditë të ndryshme panairi ushqimor.
Jo pa qëllim, si ditë përmbyllëse të këtij panairi, zgjodhëm datën 16 Tetor, pasi kjo e fundit, është edhe “Dita Ndërkombëtare e Ushqimit” .

Duke filluar nga cikli parashkollor, e deri tek shkolla e mesme, u sollën ushqime të shumta të përgatitura nga vetë nxënësit. Ato u servirën në hollin e shkollës, dhe me mjaft dëshirë dhe kënaqësi u bënë pjesë e shitjeve nga vetë nxënësit, ku fitimet shkonin për një qëllim të vetëm, për të ashtuquajturën Klubi “Shpresa”.

Nxënësit e cikleve të ndryshme manifestonin një gëzim dhe një dashamirësi tepër pozitive në shitjen e produkteve të gatuara nga ata vetë, dhe për më tepër kjo dëshirë vihej edhe më shumë në dukje kur mendohej për qëllimin e këtij aktiviteti, ku shuma e grumbulluar nga shitja e ushqimeve do të shkonte për bamirësi tek njerëzit në nevojë.

Panairi ushqimor do të finalizohej me vizitën që nxënësit dhe përfaqësuesit e shkollës, do të bënin në “Shtëpinë e të Moshuarve”.
Në ambjentet e kësaj shtëpie të madhe në “DitënNdërkombëtare të Ushqimit” nxënësit ua servirën vetë ushqimet “gjyshërve” dhe “gjysheve” të tyre. Atmosfera e krijuar ishte tepër emocionuese e gërshetuar kjo me dëshirën e vetë nxënësve për t’u shërbyer, dhe falenderimet e buzëqeshjet që ato merrnin në çdo çast.

Qëllimi i vërtetë i kësaj vizite në “Shtëpinë e të moshuarve” nuk ishte thjeshtë një drekë bamirësie por ndërgjegjësimi në vetvete i nxënësve për respektin që ato duhet të kenë për moshën e tretë. E pikërisht nxënësit tanë me përulësinë, respektin dhe dashurinë që ata shfaqën në këtë shtëpi të madhe, treguan bindshëm vlerësimin maksimal ndaj kësaj moshe.

Mirënjohje dhe respekt për ta …..
Ky është vetëm fillimi, të tjera aktivitete të ndryshme na presin.

Përgatiti: Amarilda MEGJIDI